Në kuadër të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë e të Filologjisë organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë: ” Përballje me të kaluarën”.
Drejtoresha e muzeut, znj. Etleva Demollari ndër të tjera tha : “Mendoj se kjo ditë, merr një simbolikë të veçantë e festuar këtu, në vendin ku ka qenë Selia Qendrore e Teknikës Operative të Sigurimit të Shtetit, gjatë regjimit komunist. Ishte pikërisht Lëvizja e Dhjetorit të studentëve të ’90-ës ajo që mposhti frikën, e cila përmes mekanizmave të përshkruar në këtë muze, për shumë dekada ishte rrënjosur në ndërgjegjen, në perceptimin e në besimin e një populli të tërë. Ishin të rinj të zakonshëm, që kuptuan se kishte ardhur koha të bënin të jashtëzakonshmen, që guxuan të mendojnë në mënyrë kritike, që guxuan të vrasin frikën në emër të shpresës dhe bënë histori. Ne organizojmë këtë aktivitet për të nderuar ata të rinj e të reja, të të gjitha formacioneve politike dhe nga të gjitha anët e Shqipërisë, të cilët patën guximin të rrezikojnë jetën e tyre për liritë dhe të drejtat që gëzojnë sot të gjithë shqiptarët.
Studentët u ftuan të shikojnë dy filma dokumentarë me metrazh të shkurtër të realizuar nga Akademia Multimediale Marubi për të nxitur diskutimin.
Pedagogia dhe historiania, znj. Enriketa Papa tha se mbetet shumë për të bërë në lidhje me të shkuarën komuniste. Pavarësisht disa punëve të mira, siç është ky muze, procesi i dekomunistizimit, i rishkrimit të historisë, i Lustracionit, kanë dështuar. Shoqëria jonë nuk mund të gjejë paqe shpirtërore pa nxjerrë të vërtetat.
Z.Daut Gumeni, foli se si e shohin të përndjekurit politikë procesin e përballjes me të kaluarën. I pyetur nga studentët, ai rrëfeu mbi jetën e tij në burg.
Me këtë rast u çel dhe ekspozita: “Mbresa ndër vite” me punimet e nxënësve të shkollave të mesme që kanë vizituar muzeun. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14. 12. 2021.