Ekspozita “Lulet e ftohta të shkurtit”

Në kuadër të “Muajit të Kujtesës” të shpallur nga Ministria e Kulturës dhe me rastin e 20 Shkurtit, Dita e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit dhe Dita e Rrëzimit të Shtatores së Enver Hoxhës, në muzeun Kombëtar të Përgjimeve ” Shtëpia me Gjethe” u çel ekspozita “Lulet e ftohta të shkurtit”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtoresha e muzeut, znj. Etleva Demollari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit Bido.

Në fjalën e tyre ata theksuan rëndësinë e pasqyrimit të ngjarjeve politike dhe sociale të viteve 1990-1991 , që shënuan rënien e regjimit totalitar në vend duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë studentëve të pranishëm, të cilët në sajë të dokumentimit të së shkuarës, mund të nxjerrin mësime për të ardhmen.

Drejtoresha e muzeut, znj. Etleva Demollari u shpreh se akti i rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, një prej ngjarjeve kulmore të trajtuara në ekspozitë, është simbol i ngadhnjimit të qendresës anti-komuniste në Shqipëri. “Kontributi që sjell Muzeu në këtë ekspozitë përbëhet nga dokumente dhe foto që përcjellin atmosferën e viteve ‘90-‘91. Janë dokumente të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendime që merrte Gjykata e Lartë ndaj një grupi të rinjsh që organizuan demonstratën e 14 janarit, 1990, në Shkodër, raporte për Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin mbi demonstratën në Kavajë ne mars të ‘90-tës, raporte të Hetuesisë së Përgjithshme për ministrin e Brendshëm, Simon Stefanin, mbi hyrjen e personave në ambasada në qershor dhe më 2 korrik të ‘90-s. Ekspozita mbyllet me një raport për ngjarjet e 20 shkurtit 1991 dhe foto të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës.”, bëri me dije Demollari.
“Duhet të përkujtojmë përmes dokumenteve dhe fotografive të kohës, ngjarjet e vitit 1990.
Studentët e pranishëm në këtë aktivitet kanë lindur pas vitit 2000. Duke jetuar në demokraci, ne nuk e kuptojmë se sa i pamundur je ndaj diktaturës dhe se sa energji nevojitet për ta rrëzuar atë. Në fund të ditës, është rinia ajo që sjell demokracinë apo diktaturën. Është rinia ajo që sjell regjimin. Prandaj, përmes këtyre dokumenteve, dua t’i japim mundësinë çdo të riu e të reje të shohë përmes dokumenteve e fotove të kohës dhe të frymëzohet në mënyrë që ta gëzojmë këtë liri, por të jemi edhe vigjilentë. Janë të rinjtë ata që duhet ta çojnë përpara nevojën për të patur një demokraci sa më shumë funksionale. Ky është qëllimi i kësaj ekspozitë në një nga ndërtesat më famëkeqe të periudhës së komunizmit. », tha kreu i DPA-së, z. Ardit Bido.

Në ekspozitën “Lulet e ftohta të shkurtit” shfaqen për herë të parë dokumente që janë deklasifikuar së fundmi, duke u bërë të qasshme për çdo hulumtues apo të interesuar. Mes materialeve të ekspozuara janë dokumente të vrasjeve në kufi, heqja e emrit të universitetit, kushtet e studentëve, krijimi i partive politike, liria fetare, kriza e ambasadave, takimet e Ramiz Alisë në OKB, takimet me përfaqësues të SHBA-ve, vizita e Nënë Terezës etj.
Ekspozita do të jetë e vizitueshme deri më 28 Shkurt.

 

2022-02-23T10:07:56+00:00