Në kuadër të muajit të Kujtesës dhe me rastin e 30 vjetorit të 20 Shkurtit, Ditës së rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, që simbolizon ngadhnjimin e qëndresës antikomuniste, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, çeli ekspozitën “Qëndresa”.
Në ceremoninë e çeljes ishte i ftuar z. Fatmir Merkoçi, një nga protagonistët e kësaj ngjarjeje i cili solli për të pranishmit emocionet e atyre ditëve të ndryshimeve të mëdha historike.
Drejtoresha e muzeut, znj. Etleva Demollari në çeljen e ekspozitës, ndër të tjera tha: “Kanë kaluar plot 30 vite që nga dita kur mijëra qytetarë rrëzuan shtatoren e ish-diktatorit Enver Hoxha, në sheshin Skënderbej, ngjarje e cila do të shënonte kështu dhe rënien e regjimit të vjetër diktatorial i cili ishte në ditët e tij të fundit.
Kryengritja e Malsisë së Madhe në vitin 1945, kryengritja e Postribës në vitin 1946 dhe kryengritja së Zhapokikës në vitin 1948, kryengritjet e para antikomuniste në të gjithë Evropën Perëndimore ishin një dëshmi që komunizmi në Shqipëri u kundërshtua me forcë nga veriu në jug.
Kjo u vërtetua dhe në vitet në vijim me traktet antikomuniste të vendosura në Tiranë dhe Korçë, të cilat ishin shembuj të akteve të revoltës ndaj udhëheqësve të regjimit komunist dhe që u pasuan më tej nga revolta e burgut të Spaçit e Qafëbarit dhe u përmbyllën me demonstratat e vitit 1990 me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.
Ky akt ishte simbol i shpresës së madhe që u ngjall atë ditë, shpresës se krimi dhe vrasjet politike kishin marrë fund”.






