Jo vetëm nxënësit e shkollave në qendër të Tiranës por dhe ata që ndodhen në rrethinat e saj shfaqin interes për programet edukative të Muzeut Kombëtar “Gjethi”. Nxënësit e shkollës “Sadik Stavileci”, Yrshek, u bënë dje pjesë e projektit: “Kujtojmë për të mos harruar”, i cili zhvillohet në kuadër të programit të lançuar nga Ministria e Kulturës, Edukimi përmes Kulturës dhe që ka si qëllim njohjen e brezave të rinj me të kaluarën e errët komuniste shqiptare si dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth pasojave të komunizmit.
Me anë të këtij projekti nxënësit pjesëmarrës patën mundësi jo vetëm të vizitojnë muzeun por edhe të shoqërohen nga z. Uran Kostreci, ish-i përndjekur i regjimit komunist.
Nxënësit e shkollës “Sadik Stavileci”, njëkohësisht u bënë pjesë e projektit “Mbresa” në datë 23 janar, në sajë të vullnetit dhe dëshirës së tyre për të krijuar në lidhje me tematikën që muzeu trajton.
Ftojmë drejtorët dhe mësuesit e shkollave të na kontaktojnë për të programuar vizitën e tyre por dhe ish të persekutuar politikë që dëshirojnë të bëhen pjesë e programit.
Jeni të mirëpritur!