Programi i ri edukativ “Kujtojmë për të mos harruar”

Nisi dje në Muzen Kombëtar  të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” programi i ri edukativ  “Kujtojmë për të mos harruar”. Ky projekt i cili realizohet në kuadër të programit të lançuar nga Ministria e Kulturës, Edukimi përmes Kulturës, ka si qëllim njohjen e brezave të rinj me të kaluarën e errët komuniste shqiptare si dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth pasojave të komunizmit. Projekti është parashikuar të zhvillohet gjatë gjithë vitit shkollor 2018, çdo të mërkurë e të premte duke përfshirë rreth 30 shkolla publike 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Tiranës. Me anë të këtij projekti nxënësit pjesëmarrës do të kenë mundësi jo vetëm të vizitojnë muzeun por edhe të shoqërohen nga ish-të përndjekur të regjimit komunist.

Shkolla e parë e cila u bë pjesë e projektit “Kujtojmë për të mos harruar” ishte shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Dy klasa të cilat i përkisnin vitit të parë dhe vitit të tretë vizituan muzeun të shoqëruar nga ciceroni i tij si dhe ish i dënuari për motive politike z.Agim Hakcani. Nëpërmjet kësaj vizite nxënësit u njohën me veprimtaritë e një prej organeve më represive të regjimit komunist, Sigurimit të Shtetit.

Komunikimi i drejtëpërdrejtë që nxënësit patën me z.Agim Hakcani, i dha atyre një tablo më të qartë te jetës së kufizuar të shiptarëve gjatë regjimit komunist. I ndodhur përpara pyetjeve kureshtare të të rinjve, z.Hakcani ndau përvojën e tij duke treguar më shumë rreth mënyrës se si funksiononte përndjekja e të ashtuquajturve “armiq të popullit”.

2017-10-19T09:06:02+00:00