Aktiviteti “Përballje me të Kaluarën” në Muzeun Kombëtar “Gjethi”

Në Muzeun Kombëtar “Gjethi” u zhvillua dje, me rastin e 27 vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, aktiviteti: “Përballje me të Kaluarën”. Ky aktivitet, ku merrte pjesë Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, z. Christophe Graf, u zhvillua në gjuhën angleze.

Në fjalën përshëndetëse, Drejtoresha e Muzeut, znj. Etleva Demollari tha: “ka dy arsye pse ky aktivitet titullohet “Përballje me të Kaluarën”. Së pari sepse ky është titulli i filmave të shkurtër dokumentarë të realizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” me ndihmën e Embassy of Switzerland in Albania , të cilët do t’i dhurohen muzeut dhe së dyti, sepse Muzeu është edhe një produkt i angazhimit të Shqipërisë në procesin e përballjes me të kaluarën, por edhe aktivist në këtë debat duke përkujtuar, duke rrëfyer dhe duke zbuluar të vërteta për të zbuluar atë që ndodhi në Shqipëri.
Përveç tërheqjes së vizitorëve vendas e të huaj, Muzeu Kombëtar “Gjethi” kërkon të kthehet në një hapësirë për debat duke ndihmuar në përkufizimin e të kaluarës së Shqipërisë dhe në zbulimin e të vërtetave.”

Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, z. Christophe Graf, u tha studentëve të reflektonin mbi regjimin komunist, mënyrat e vendosjes së tij dhe ta vendosnin veten në pozitat e atyre që e kishin përjetuar atë kohë.”Ndryshimet e shpejta gjithnjë janë të rrezikshme tha ai dhe mund të sjellin regjime totalitare e të dhunshme”. Ai gjithashtu nxiti të rinjtë për të qenë qytetarë aktivistë.
Të pranishmit ndoqën dy nga filmat e përzgjedhur dhe diskutuan për mënyrën se si kujtohet e kaluara në Shqipëri, nevojën e rishkrimit të historisë dhe të studimeve më të thelluara në këtë fushë.
Në aktivitet merrnin pjesë studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pedagogia Gentiana Kera dhe z. Uran Kostreci.

2018-02-21T11:51:47+00:00