“Letërsi e ndaluar: Musine Kokalari”

U zhvillua dje, pranë Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”, aktiviteti letrar në kuadër të fushatës kombëtare të leximit “Takohemi për një libër”. Aktiviteti i titulluar “Letërsi e ndaluar: Musine Kokalari”  u realizua në prani të rreth 30 nxënësve të shkollës së mesme “Petro Nini  Luarasi” të shoqëruar nga mësuesja e tyre e letërsisë znj. Orjana Osmani.

Në panel referuan znj. Persida Asllani, Drejtore e Bibliotekës Kombëtare, znj.Mimoza Hysa, Drejtore e Krijimtarisë të Fjalës dhe Përkthimit si dhe përkthyesja dhe gazetarja e kulturës znj. Alma Marku.

Fillimisht u fol rreth jetës së Musine Kokalarit, për shkollimin e saj, për përfshirjen në politikë si dhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve që ajo përjetoi gjatë diktaturës komuniste si e burgosur dhe më vonë si e internuar për shumë vite.

Diskutimi më së shumti u fokusua në stilin letrar të Musine Kokalarit, në vlerat e shkrimit të saj të cilat rroken nëpërmjet leximit të përmbledhjes së veprës së përzgjedhur të shkrimtares, botuar së fundmi.

Të pranishmit u njohën gjithashtu me ditarin, librin autobiografik të Musine Kokalari “Jeta ime universitare” të ardhur në shqip nga Arta Marku. Më pas përkthyesja lexoi disa fragmente të tij.

Disa nga nxënësit e pranishëm, të njohur më parë me veprën e Musinesë, kishin përzgjedhur disa pjesë për ti lexuar gjatë aktivitetit.

Pas aktivitetit nxënësit vizituan muzeun.

 

2017-11-10T13:37:56+00:00