“Epika e yjeve të mëngjesit”

 

Në kuadër projektit të Ministrisë së Kulturës, “Takohemi për një LIBËR”, Muzeu Kombëtar “Gjethi” do të zhvillojë përgjatë muajit nëntor pesë aktivitete dedikuar letërsisë në prani të shkrimtarëve të shquar për të diskutuar rreth romaneve apo poezive të cilat trajtojnë periudhën e errët komuniste.

Dje në orën 10:00 u mbajt aktviteti i parë  me pjesëmarrjen e shkrimtarit Rudi Erebara dhe e rreth 20 nxënësve të interesuar.

Epiqendra e diskutimit letrar ishte romani i autorit Rudi Erebara, “Epika e yjeve të mëngjesit”, fitues i Çmimit  Europian të Letërsisë  për vitin 2017.

Romani  dedikuar piktorit  Edison Gjergo, i cili u dënua gjatë regjimit komunist me 8 vite burg për shkak të një pikture, i njohu të rinjtë jo vetëm me veprën por gjithashtu edhe me mënyrën se si u trajtuan artistët gjatë diktaturës. Gjatë aktivitetit u lexuan disa pjesë të romanit për ti dhënë një tablo sa më të qartë të rinjve pjesëmarrës, për jetën tejet të kufizuar të shqiptarëve gjatë diktaturës komuniste.

Diskutimi letrar u zhvillua në dhomën me numër 25 të Muzeut Kombëtar “Gjethi”, dhoma e cila pikërisht ekspozon pikturën e tij “Epika e yjeve të mëngjesit” si dhe  një pjesë të dosjes së tij. Nxënësit u njohën edhe me pjesë të shkëputura nga ekspertiza e Lidhjes së Shkrimtarëve, e cila akuzonte piktorin për shfaqje të huaja në krijimet e tij artistike.

Në këtë aktivitet u fol gjithashtu edhe për romanin tjetër të autorit “Vezët e thëllëzave” e cila tregon kalvarin e vuajtjeve të një familje të internuar gjatë diktaturës.

Nxënësit ndoqën me kërshëri disktutimin dhe nuk nguruan t’i drejtonin pyetje shkrimtarit.

2017-11-03T11:58:12+00:00