Nxënësit e Gjimnazi Myslym Keta morën pjesë në punëtorinë “Mbresa” në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve ” Shtëpia me Gjethe”. Nxënësit vizituan muzeun dhe u ftuan të shprehin përshtypjet e tyre në gjininë artistike që parapëlqejnë.
Punëtoria “Mbresa” është një program edukativ dhe artistik javor i cili përfshin nxënësit e shkollave të mesme. Programi përmban një konkurs në këto gjini artistike:
1- arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion)
2- krijim letrar (ese, poezi etj),
3- muzikë (melodi, këngë),
4- risi teknologjike etj.
Disa nga objektivat e këtij programi janë : përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj.
Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në gjinitë artistike të lartpërmendura. Punimet duhet të dorëzohen në muze brenda 15 ditëve pas vizitës.
Më pas, ato ekspozohen për rreth 2 javë në faqen e facebook-ut të Muzeut dhe krijimi që merr më shumë pëlqime vlerësohet me çmim të veçantë. Një juri e përbërë nga specialistë të fushës vlerëson punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike si dhe të bëhen pjesë e një katalogu.
Ftojmë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të mesme të bëhen pjesë e këtij projekti.