Mund të përkthehet si “vendi prej ku mund të shohësh dhe të dëgjosh gjithçka”. Kuptimi tjetër i fjalës së parë (Panoptikon), sipas së cilës është ndërtuar edhe e dyta (Panakustikon), është ai i një burgu ideal, të konceptuar mëse dyqind vjet më parë nga filozofi utilitarist Jeremy Bentham. Utilitaristët nuk besonin në utopinë e një shoqërie të përsosur. Një utopi e tillë ishte edhe komunizmi. Pretendimet për ta realizuar sollën shoqërinë e kontrollit total, në ngjashmëri me burgun e Bentham-it.
Laboratori i dikurshëm i klinikës që përdorej për të kryer analizat mjekësore u përdor më pas për larje filmash e për prodhim çelësash që të hapnin dyer dhe kasaforta. Këtu kryhej hapja ilegale e zarfeve ose e materialeve të tjera që dyshoheshin se mund të ishin shkruar me bojë të padukshme. Laboratori përdorej edhe për kontrollin kimik të materialeve të shtypura që i vinin udhëheqjes nga jashtë dhe që dyshoheshin se mund të përmbanin lëndë helmuese biologjike ose radioaktive.