Prologu: Historia e shtëpisë

Shtëpia me Gjethe në fillim ka qenë shtëpi lindjeje. U ndërtua më 1931 si klinikë obstetrike, me nismën e mjekut të shquar Dr. Jani Basho dhe e drejtuar prej tij. Është e para e këtij lloji në Shqipëri dhe ky ka qenë funksioni i saj gjatë viteve viteve ‘30.

Gjatë viteve të para të pasluftës, Shtëpia me Gjethe u përdor si qendër hetuesie, pra edhe si vend ku bëheshin tortura. Praktika e torturave, si dhe e formave të tjera të terrorit, është pranuar edhe nga propaganda zyrtare komuniste, por vetëm sikur ndodhën gjer në momentin e prishjes me Jugosllavinë (1948). Ato u janë ngarkuar ndikimeve jugosllave dhe të ashtuquajturve agjentë titistë në policinë politike. Siç tregohet në këtë muze, torturat janë ushtruar gjatë gjithë regjimit komunist.

Duke filluar nga vitet pesëdhjetë, funksionet e kësaj ndërtese ndryshuan. E megjithatë, për dekada të tëra kanë qarkulluar legjenda rreth saj, fryt i sekretit dhe i misterit me të cilin mbështillej kjo shtëpi. Këtu ka qenë selia e degës tekniko-shkencore të Sigurimit, e cila merrej kryesisht me përgjimin elektronik, me kontrollin e telefonave dhe me kontrollin postar, përveçse edhe selia e një dege që merrej me ndjekjen e të huajve. Kanë vazhduar gjer në shkrirjen e Sigurimit, më 1991. Dega tekniko-shkencore ka pasur një rol ndihmës dhe njëkohësisht udhëheqës ndaj sektorëve të tjerë të Sigurimit në këto veprimtari.

2017-08-13T09:08:46+00:00