Hapet Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

U hap për publikun Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme që prej 45 viteve mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist.

“Shtëpia me Gjethe”, e kthyer në Muze të memories me mbështetjen e Kryeministrit dhe projekt të Ministrisë së Kulturës, është dëshmia më therëse e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat e shpirtrat e njerëzve.

Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, ish të përndjekur, historianë, personalitete të jetës së vendit, etj.

Kryeministri Rama u shpreh në fjalën e tij se  “Shtëpia me Gjethe” “Është një shtëpi ku fshihet një thesar shumë i rëndësishëm i kujtesës tonë kolektive, një thesar që na jep mundësi të zbulojmë pjesëza të tjera të këtij mozaiku që mbetet ende për t’u zbuluar plotësisht, me ngjarje, me personazhe, me lidhje mes shtetit, njerëzve, periudhave, që janë deri këtu, sot, të mbuluara nga pluhuri i harresës. E për shumëkënd, për fat të keq, këto hapësira janë si rikthim i errësirës, ndërsa për mua, hedhja e dritës në këto errësira është ushqim i shpresës që lidhet me plotësimin e vrimave të zeza të kujtesës tonë kolektive dhe kujtesës së gjithsecilit”.

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro tha mes të tjerash  se “Që në fillim ne treguam qartë vullnetin për t’i hapur dosjet e gurta e ato prej letre, shtëpitë e mistershme e misteret e kyçura nëpër bunkerë e tunele, sepse ne s’kemi gjë për të fshehur, sepse duhet të mos harrojmë, sepse duhet të mësojmë, sepse duhet t’i tregojmë, duhet të edukojmë dhe duhet të na shohin me historinë tonë jo të zakonshme. Prandaj, hapësirat tabu i hapëm e do të vazhdojmë t’i hapim, ndërtesat e harruara e të rrënuara po i rikonceptojmë. Eshtë kjo pjesë e strategjisë sonë muzeale, edukative, krijuese dhe turistike”.

Arkitektja dhe kuratorja Elisabetta Terragni u shpreh se takimi i parë i saj me shtëpinë e gjetheve i krijoi përshtypjen se “Këtu koha kishte ndalur. Ndjemë nevojën që kjo shtëpi të hapej dhe të tregonte historinë. Kërkuam që asgjë të mos lëvizej. Vendosëm të ‘qepnim’ plagët dhe të hapnim shtigjet, ku ishte e nevojshme. Skuadra jonë kaloi dy vjet duke studiuar pajisjet. Kemi përdorur të dhënat, statistikat, tekstet, grafikat, çdo material. Shihni dyert e vjetra, dritaret, parketin origjinal prej druri (me kërcitjen e tij të padurueshme), të çarat, që kanë mbetur pa u prekur, sepse sot është hera e parë që shtëpia e gjethes mposht errësirën. Nga sot kjo shtëpi do të jetë e ndriçuar”.

Daut Gumeni, u shpreh se “Falenderoj Ministren Kumbaro që më dha mundësinë të flas. Kam një gëzim të veçantë në këtë përurim, sepse më duket se edhe ata lumëmëdhenjtë që kanë frikë nga e shkuara, kur shohin që shtohen muzetë, mbase u del frika. Dikush nga ata të mençurit e kësaj bote thotë sa më lehtë ta njohim të shkuarën, sa më pak të trembemi nga e shkuara jonë, aq më të gjallë e vitale e bëjmë demokracinë. Muzetë të jenë siç kanë qenë. Efektin edukativ dhe shëndoshjen e kujtesës sonë, që kemi kaq qejf ta harrojmë, e kanë që ti lemë ashtu siç janë.Uroj që Spaçi të kthehet në pikë muzeale, që burgu i Burrelit dhe burgu I Gjirokastrës të kthehet siç ka qenë në kohën e Shemo Hajdutit”.

Muzeu është projektuar sipas standardeve europiane nga një grup në përbërje të të cilit edhe ekspertë të huaj dhe me konsulencë ndërkombëtarë nga institute dhe muze me tematike të ngjashme. Ai është i ndarë në 9 sektorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve 30’-të dhe deri në vitin 1991.

2017-07-25T21:28:48+00:00