Sektori i gjashtë: Jeta e përditshme nën vëzhgim

Vëzhgimi është përdorur ndaj të gjitha shtresave dhe kategorive shoqërore, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte e garantuar nga përndjekja, me përparësi ndaj asaj shtrese apo kategorie që shihej si potencialisht e rrezikshme në një moment të dhënë. Një fjalë, një këngë, një takim i rastësishëm, fare mirë mund të quheshin veprimtari armiqësore.

Vizitorët mund të shohin faksimile të një liste kontrolli telefonik, të marrë nga AMPB. Në Tiranën e viteve ’70 kishte rreth 1500 telefona familjarë, që jepeshin me autorizim të posaçëm nga instanca të larta shtetërore. Kryesisht u jepeshin familjeve të Nomenklaturës apo atyre që kishin lidhje me të ose personave që kryenin shërbime të veçanta urgjence. Nëse ndaj një pjesëtari të Nomenklaturës fillonte ndjekja nga Sigurimi, telefoni nuk i hiqej, sepse përbënte një kanal përgjimi.

2017-08-13T08:58:03+00:00